Kosova shënon 5-vjetorin, VV injoron himnin

Me një seancë solemne, Kuvendi i Kosovës shënoi 5-vjetorin e pavarësisë.

Përveç ligjvënësve dhe kabinetit qeveritar, aty morën pjesë edhe presidentja, Atifete Jahjaga, presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, përfaqësues të opozitës nga Shqipëria, si dhe përfaqësues nga Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe personalitete të njohura vendase dhe ata të korit diplomatik në Prishtinë.

Presidentja Atifete Jahjaga tha se Kosova shpalli pavarësinë e saj në koordinim me vendet mike. Kurse, synim i saj i kamotshëm është që të integrohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Tani, Kosova duhet të konsolidojë shtetësinë e saj, vijoi presidentja Jahjaga, duke përsëritur se pavarësia është akt i pakthyeshëm. Ajo tha se dialogu që po zhvillohet me Serbinë, nuk ka për qëllim ndarjen e Kosovës dhe as autonominë territoriale për veriun.

“Dialogu nuk po zhvillohet për ta ndarë Kosovën, e as për të krijuar enklava të veçanta të askujt, as autonomi e statuse të posaçme. Të gjitha zgjidhjet janë brenda Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe në bazë të standardeve evropiane”, tha në fjalimin e saj Jahjaga.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi tha se pavarësia e Kosovës paraqet sublimim të sakrificave dhe përpjekjeve të vazhdueshme të gjeneratave të tëra.

Kurse, njohja e Kosovës nga vendet më të fuqishme dhe demokracitë më të zhvilluara, paraqet suksesin më të madh, theksoi kryeministri Thaçi.

“Brenda një periudhe 14-vjeçare, Kosova realizoi dy objektiva të mëdha historike – çlirimin, pra lirinë e saj dhe pavarësinë e saj. Që nga shtatori i vitit që shkoi, Kosova hoqi mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë suksesshëm, duke u bërë shtet me përgjegjësi të plotë për veten dhe ardhmërinë e saj. Kjo është meritë e të gjithëve. Kjo dëshmon se storia e Kosovës është një storie e suksesshme kosovare dhe gjithë-ndërkombëtare”, u shpreh Thaçi.

Një fjalë rasti, para ligjvënësve të Kosovës mori edhe kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Ajo tha se kishte nderin që po festonte në Prishtinë ditëlindjen e shtetit të pavarur të Kosovës.

Duke e konsideruar Kosovën si djep të shqiptarizmit, Topalli tha se në këtë ditë duhet rikujtuar të gjithë ata që sakrifikuan për shtetin e Kosovës, duke veçuar dy figura kryesore, presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova dhe komandantin e UÇK-së, Adem Jashari.

Topalli tha, po ashtu, se synimi i të gjithë shqiptarëve në rajon është integrimi në strukturat e Bashkimit Evropian.

“Ne duam të bashkohemi me njëri-tjetrin dhe ne duam të bashkohemi me familjen evropiane. Ne në Shqipëri, ju në Kosovë, shqiptarët në Maqedoni, shqiptarët në Mal të Zi. Ne shqiptarët jemi faktor konstruktiv, model i paqes, i lirisë, model për fqinjësinë e mirë”, theksoi Topalli.

Kurse, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se pavarësia e Kosovës përbën një fakt të pamohueshëm historik. Pesë vjet nuk janë shumë, por ndryshimet që ka bërë Kosova gjatë kësaj periudhe, janë të mëdha, tha Krasniqi.

Në fjalimet e tyre, liderët kosovarë thanë se Kosova ka shënuar shumë përparime, por njëherësh rikujtuan sfidat, sidomos në zhvillimin ekonomik dhe forcimin e shtetit ligjor.

Ata u zotuan se Kosova, si shteti më i ri i evropian, do të shikojë kah e ardhmja përmes integrimit të saj në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Deputetët e Vetëvendosjes injoruan himnin e Kosovës

Deputetët e lëvizjes Vetëvendosje kanë qëndruar ulur gjatë kohës së intonimit të himnit të Kosovës në seancën solemne të thirrur për pesë vjetorin e pavarësisë.

Në pikëpamjet e saj politike Vetëvendosje nuk i ka pranuar asnjëherë simbolet e shtetit të Kosovës, himnin dhe flamurin, duke i konsideruar si simbole që nuk përfaqësojnë motivet, ngjyrat dhe as vullnetin e shumicës shqiptare në Kosovë.

Pin It