Radio Victoria

Qendrore

AAK zgjedh kryesinë e re ,vetem aminin ja kenduan

AAK zgjedh kryesinë e re ,vetem aminin ja kenduan
0
SHARES

Anëtarët e Këshillit Drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të premten ia kanë bërë “amin” propozimit të liderit të kësaj partie, Ramush Haradinaj, për përbërjen e kryesisë së re. Gjatë takimit të parë të anëtarëve të Këshillit Drejtues, përkatësisht përbërjes së re të këtij organi është votuar kryesia e re, e cila, ndryshe nga ajo paraprake, do t’i ketë katër nënkryetarë.

Blerim Shala do të vazhdojë ta mbajë pozitën e nënkryetarit të parë. Ahmet Isufi dhe Ardian Gjini gjithashtu do të jenë nënkryetarë, pozita që i kishin edhe gjatë kryesisë së kaluar, ndërsa risi është emërimi i ish-anëtares së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, në pozitën e nënkryetares.

Edhe Burim Ramdani do të vazhdojë të jetë sekretar i përgjithshëm, ndërsa Blerim Kuçi sekretar organizativ.
Para se të votohet kryesia, i pari i Aleancës, Haradinaj, ka thënë se ka menduar gjatë e gjatë se si t’i formësojë organet e reja të partisë, ndërkaq, i bindur se në zgjedhjet e fundit komunale AAK-ja ka shënuar rritje të madhe, ka vendosur që, siç ka thënë ai, t’i japë besim ekipit që ka arritur dyfishimin e rezultatit zgjedhor.

“Ai dyfishim ka ndodhur në vitin 2009 me kryesinë me të cilën kemi punuar atë kohë. Do të thotë, ia kam vazhduar mandatin, besimin, këtij koncepti, konceptit të dyfishimit të rezultatit zgjedhor dhe kolegëve me të cilët jemi nisur atëherë, duke qenë se u kam mbetur borxh për faktin se s’kam mundur të punoj me ta”, ka thënë ai, duke shtuar se kryesia e re do të ketë edhe persona të rinj.

Para se të votohet kryesia, anëtari i kryesisë së kësaj partie, Palë Lekaj, ka kërkuar nga Hasradinaj që ta përfshijë kryetarin e Komunës së Pejës, dhe degës së kësaj partie në këtë qytet, Ali Berisha, në mesin e nënkryetarëve.

“E di që kryetari e ka me statut përpilimin e kryesisë. Mirëpo, unë mendoj që pa marrë parasysh këtë kryesi është dashur të fuqizohet vota. Dhe, unë në këtë drejtim nuk po e shoh kryetarin e Pejës, si nënkryetar të partisë. Prandaj, mendoj se është e drejtë, është legjitime, e ka votën që jetë ndër nënkryetarët e pestë”, ka kërkuar ai.

Por, Haradinaj nuk e ka marrë parasysh kërkesën e tij. “Unë mund të komentoj, por propozimin nuk pranoj ta ndërroj sot, këtë propozim që e kam sponsorizuar”, i është përgjigjur Lekajt lideri i AAK-së.

Lajçi braktis AAK-në

Ish-kryetari i Pejës, Ali Lajçi, i cili para një kohe pati aderuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, të premten është larguar nga strukturat udhëheqëse të kësaj partie, përkatësisht nga Këshilli Drejtues. Ai ka thënë, se këtë veprim po e bën ngase ka pasur parregullsi në procesin e zgjedhjeve partiake, dhe se nuk e sheh veten pjesë të AAK-së.

“Për shkaqe konceptuale edhe për shkak se nuk e kam parë metodologjinë e punëve, mund të jem i lirë nga Këshilli i Përgjithshëm i AAK-së”, ka thënë ai.


Lajmi i mëparshëm
Arrest shtëpiak për shtatë personat e dyshuar
Lajmi i mëtejshëm
Ustaibo, nën hetime

Latest Comments