Radio Victoria

Qendrore

Dështon marrëveshja për bashkëpunim policor

Dështon marrëveshja për bashkëpunim policor
0
SHARES

Marrëveshja politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka dështuar plotësisht në aspektin e krijimit të bashkëpunimit policor ndërmjet Policisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, u tha në një konferencë të mbajtur nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ku ishte i pranishëm edhe ambasadori norvegjez Jan Braathu.

Drejtori i kësaj qendre, Florian Qehaja, theksoi se asnjëra palë nuk ka bërë sa duhet për të krijuar një bashkëpunim policor të qëndrueshëm dhe gjithashtu nuk është punuar mjaft për ta anëtarësuar Kosovën në nismat rajonale të sigurisë.

“Nuk është bërë shumë në krijimin e bashkëpunimit policor Kosovë-Serbi e as për përfshirjen e Kosovës në nismat rajonale të sigurisë që ka rezultuar me një mungesë totale të bashkëpunimit policor bilateral dhe me mosanëtarësimin e Kosovës në Interpol, Eurojust, Selec e nisma të tjera”, tha Qehaja.

Sipas tij, njëra nga pengesat kryesore të krijimit të bashkëpunimit policor është edhe prezenca e xhandarmërisë serbe në vijën kufitare me Kosovën, që është diçka që Serbia e praktikon vetëm në kufirin me Kosovën e jo edhe me fqinjët tjerë.

“Institucionet duhet të bëjnë presion që xhandarmëria serbe në kufirin me Kosovën të zëvendësohet me Policinë Kufitare siç praktikohet nga Serbia me të gjithë fqinjët tjerë përveç Kosovës, sepse kjo përbën njërën nga pengesat kryesore në krijimin e bashkëpunimit policor”, u shpreh Qehaja.

Policia e Kosovës u quajt si një storje e suksesit nga ambasadori norvegjez në Kosovë, Jan Braathu, i cili tha se është i kënaqur me punën e policisë dhe bashkëpunimin e tyre me EULEX-in, por i inkurajoi ata që të jenë më aktivë në krijimin e marrëdhënieve bilaterale me shtetet e regjionit.

“Një storje e suksesit në Kosovë është Policia e Kosovës, e cila është e aftë për bashkëpunim rajonal, por ne e inkurajojmë atë që të jetë më aktive në ndërtimin e marrëdhënieve bilaterale me miqtë nga rajoni dhe më gjerë, e gjithashtu edhe me Policinë e Serbisë sepse pavarësisht marrëdhënieve politike ndërmjet shteteve policitë mund të kenë bashkëpunim të mirë me njëra-tjetrën”, është shprehur Braathu.

Ndërsa Ahmet Isufi, kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, theksoi se Marrëveshja Kosovë – Serbi nuk e rregullon çështjen e bashkëpunimit policor dhe se kjo marrëveshje është e paqartë në lidhje me krijimin e zinxhirit të ri komandues në Policinë e Kosovës.

“Marrëveshjet janë akte politike që duhet të zbatohen, çka nënkupton se pala e cila nuk e zbaton marrëveshjen duhet të dënohet nga garantuesi”, u shpreh Isufi.

Drejtori i Operativës në Policinë e Kosovës, nënkoloneli Rashit Qalaj e cilësoi zbatimin e IBM-it si fillimin e një bashkëpunimi direkt të policisë kufitare të Kosovës me atë të Serbisë, ndërsa sa i përket kontrollimit të zonës kufitare me Serbinë, ai tha se është ende në kompetencën e KFOR-it derisa të bëhet demarkacioni i kufirit.

“Qytetarët nuk e dinë saktë ku është kufiri sepse ende nuk është bërë demarkacioni dhe për këtë arsye ata mund të thonë se xhandarët kanë dalë në territorin e Kosovës ose Policia e Kosovës ka dalë në territorin e Serbisë. Pra, ende nuk dihet qartë se ku është kufiri saktësisht”, tha Qalaj.


Lajmi i mëparshëm
Nishani mandatoi Ramën kryeministër
Lajmi i mëtejshëm
Serbia krijon edhe një strukturë ilegale në Kosovë

Latest Comments