Radio Victoria

Gjilani

Gjilanasi-Vullnetari në Afrikë

Gjilanasi-Vullnetari  në Afrikë
0
SHARES

Ndërkombëtarë nga të gjitha vendet e botës erdhën në Kosovë, me vete sollën përvojat nga vendet e tyre, duke mëtuar të ndihmojnë kosovarët e sapodalë nga lufta. Shumë prej tyre Kosovën e kishin menduar më ndryshe e disa prej tyre kishin ardhur nga vende që gjendjen e kishin shumëfish më të keqe sesa në Kosovë.

Muhamed Sadriu, arkitekt nga Gjilani, për një kohë të gjatë kishte punuar me ndërkombëtarë në kuadër të një programi të ARC-së dhe derisa po bisedonte me drejtorin e tij ndërkombëtar i kishte shpalosur gatishmërinë e tij që të punojë si vullnetar në Afrikë. Muhamedi, tejet i përkushtuar në profesionin e tij, kishte harruar kërkesën e tij, kur i erdhi oferta për punë në Sudan e Uganda.

Ai, tashti flet për përvojën e tij në Afrikë, për shumëçka që asnjëherë nuk ia kishte marrë mendja që do të haste në jetë, për mijëra kilometrat e kaluara nëpër lumin Nil.

“Para se të nisesha për Afrikë nuk kisha njohuri të gjera për këtë kontinent e aq më pak për vendet ku do të punoja, në Uganda e Sudan. Dija për epidemitë e ndryshme, problemet me sëmundje të ndryshme, barazinë gjinore, problemet e ujit si dhe shumë tjera, mirëpo gjithashtu dija edhe për bukuritë natyrore që nuk janë të pakta në këtë pjesë të botës”, thotë Muhamed Sadriu, i cili është fotograf i pasionuar dhe gjatë tërë udhëtimit me fotoaparatin e tij ka shkrepur mijëra herë, duke mos lënë që t’i ikë asgjë.

“Të gjitha sferat e jetës ishin të ndryshme nga ajo që unë isha mësuar t’i shihja e që disa nga to ishin edhe diametralisht të kundërta. Mënyra e jetës, ushqimi, uji, njerëzit, infrastruktura, natyra me bukurit e saj, si dhe ndryshimet klimatike ishin gjithë parametrat që duhej pasur në konsideratë në mënyrë që aktivitetet ditore të mund t’i përmbushja sa më mirë që është e mundur”, thotë Sadriu.

Ai rrëfen për kontaktin e parë me jetën në Afrikë në Najrobi të Kenisë e më pas edhe në Entebbe në Uganda, ku qysh në ditën e parë të punës u ballafaqua më mënyrën e jetës në këtë vend, me vuajtjet njerëzore, jetën e refugjateve, neglizhencën e atyre që nuk e njohin skamjen, si dhe burokracinë ndërkombëtare për hapa të shpejtë dhe konkretë në ofrimin e ndihmave, që kjo pjesë e botës të ketë një jetë me kushte për të mbijetuar.

Muhamedi thotë të ketë përjetuar rëndë tmerret e luftës në Kosovë, por megjithatë në Uganda ishte krejt ndryshe, njerëzit kishin nevoja të mëdha për ndihma. Ai kujton aeroplanin që nuk zinte më shumë se 20 udhëtarë, pistën e tij pa asfalt, por edhe fluturimin në lartësi të ulëta që mundësonte një pamje të mirë të realitetit afrikan.

E veçantë e këtij udhëtimi ishte ndalja në Adjumani qytet në Ugandën veriore për të kaluar lumin Nil e për të dalë në Sudan në qytetin Nimule, vend shumë i nxehtë si në aspektin klimatik ashtu edhe në atë politik, duke rikujtuar takimin me udhëheqësit lokalë SPLM, dëshirën e tyre për të pasur kontroll mbi OJQ-të, pastaj takimin me të zhvendosurit dhe jetën e tyre plot vuajtje për 11 vite në kampe e të cilët pas çdo makine që vjen aty presin që ajo t’u sjell diçka.

“Ata duhet të udhëtojnë me kilometra të tëra për të marrë ujë për nevoja ditore, ambulanca më e afërt është diku rreth 10 kilometra e temperaturat janë tejet të larta”, thotë Muhamed Sadriu, i cili është i lumtur që kishte mundur të japë kontributin për këta njerëz me kërkesa elementare për një ambulancë, shkollë e burim uji më afër, kërkesa këto që duhet ta zgjojnë nga gjumi bashkësinë ndërkombëtare për të vepruar më shumë e më shpejtë.

“Një situatë e tillë është në gjithë rajonin, në Sudan për shkak të luftës, e në shtetet fqinje për shkak të të zhvendosurve nga ky shtet, që nuk janë të paktë. Numri i tyre në përgjithësi kalon milionat, kur tërë kësaj i shtojmë edhe situatën ekonomike dhe politike të rajonit me gjitha ndryshimet dhe konfliktet që kanë mbretëruar, atëherë jeta aty duket ndryshe, duke të kujtuar një planet tjetër apo një periudhë kohore tjetër të historisë njerëzore”, thotë Muhamed Sadriu.


Lajmi i mëparshëm
Një kilometër autostradë, 12 milionë euro
Lajmi i mëtejshëm
Policët e veriut i zgjedh Serbia

Latest Comments